Kurti falënderon deputetët për votimin në parim të buxhetit: Vitin tjetër do të jetë më shumë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka falenderuar deputetët të cilët votuan në parim buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023.
“64 vota PËR në parim për buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023. Falënderoj secilin deputet dhe secilën deputete që përmes votës së tij dhe të saj i dha sot mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin e ardhshëm që reflekton prioritetet e programit qeverisës e nga i cili përfiton qytetari dhe Republika”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri tha se nga ky buxhet do të përfiton shëndetësia, bujqësia, kultura, siguria e fusha të tjera.
“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për Komunat. Buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë’, ka shkruar Kurti.