Kurti e Osmani vetëm spektatorë, Rizvanolli nënshkruan me MCC-në
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të nënshkruar marrëveshjen me MCC-në për energji.
Megjithatë, duket se Kurti e Osmani do të jenë vetëm në rolin e spektatorëve, pasi që, siç mëson Gazeta Express, marrëveshja do të nënshkruhet nga ministrja e Ekonomsë, Artane Rizvanolli.
Në një përgjigje ekskluzive nga Zyra për Media e MCC-së për Gazetën Express kanë konfirmuar se do të jetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ajo që do të hedhë firmën në marrëveshjen për milionat e MCC-së.
“Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe Drejtoresha e MCC-së, Alice Albright do ta nënshkruajnë marrëveshjen e kompaktit”, kanë thënë nga Zyra për Media e MCC-së për Gazetën Express.
Ndryshe sot gjatë ditës nga zyra për media e presidencës kanë konfirmuar se presidentja dhe kryeministri sot të udhëtojnë për në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në në Kongresin Amerikan.
Po ashtu, Zyra e Presidentes kishte konfirmuar sot udhëtimin drejt SHBA-së, ku kishte shtuar se do të zhvillohen edhe takime tjera bilaterale.