Kurti: Çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës është problem kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë moszbardha e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës është një krim i vazhdueshëm nga ana e institucioneve të Serbisë.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ai ka thënë se jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi.
Sipas tij, zvarritja e këtij procesi rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mungesa e përgjigjes për fshatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojnë në ankthin e pritjes. Shumë varre të hapura e të zbraztë anë kënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë”, ka thënë Kurti, raporton EO.
Ai ka bërë me dije se çështja e zhdukurve me dhunë nuk është çështje statistike, por problem kombëtar.
“Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre duke qenë breng e Kosovës sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”, është shprehur Kurti.