Kurti bën homazhe pranë varrit të heroit Agron Rrahmani
Kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta mbi varrin e dëshmorit Agron Rrahmani, duke përkujtuar kontributin dhe sakrificën e tij në përvjetorin e rënies së tij heroike. Kurti përmendi se në gjashtë ditë, UÇK-ja humbi tre nga djemt e saj më të zot. Agron Rrahmani u vra më 12 maj të 1998, Bahri Fazliu më 7 maj e Ilir Konshefci më 9 maj.
E plotë:
Java e dytë e majit të vitit 1998 ishte e rëndë për luftën tonë çlirimtare. Brenda një harku kohor prej gjashtë ditësh, rezistenca e armatosur për çlirimin e Kosovës mori goditje të mëdha nga humbja e Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit. Bahriu u vra më 7 maj, Iliri më 9 maj, kurse Agroni më 12 maj. Sot u bënë 26 vite nga rënia e dëshmorit Agron Rrahmani, i cili i vra në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, më 12 maj 1998. Për ta përkujtuar Agron Rrahmanin, bëmë homazhe te varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku janë pranë njëri-tjetrit edhe varri i Bahriut dhe i Ilirit.
Bahriu, Iliri dhe Agroni, apo Gëzimi, Mërgimi dhe Naseri siç ishin nofkat e këtyre tre shokëve me prejardhje nga treva e Llapit, ishin tre luftëtarë të paepur për liri, që e përplotësonin njëri-tjetrin. Bahriu ishte ideologu kombëtar e politik, Iliri ishte shpirti i organizimit të logjistikës, kurse Agroni ishte drejtuesi i operacioneve luftarake. Në shkurt të vitit 1998, Agron Rrahmani kishte marrë detyrën e komandantit të njësisë guerile “Rexhep Malaj” në Prishtinë, kurse pas rënies së tij, guerilja e Prishtinës u emërtua BIA, sipas nistoreve të Bahriut, Ilirit dhe Agronit.
Agron Rrahmani e kishte kaluar shumë herë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, teksa vepronte ilegalisht mes Prishtinës, Tetovës dhe Tiranës. Ai merrte dhe shpërndante armatime dhe materiale ilegale mes të cilave revistën “Çlirimi”, organin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që vet ia kishte dizajnuar logon. Agron Rrahmani besonte që lufta për çlirimin e Kosovës duhej të shtrihej fillimisht me aksione guerile nëpër qytete, kurse pastaj të përhapej si luftë gjithëpopullore në tërë Kosovën. Por Agroni ra dëshmor në një fazë të hershme të luftës, kur rezistenca e armatosur kishte nevojë aq shumë për aftësitë e tij organizative dhe operacionale. Agroni la pas profilin e një veprimtari vetëmohues e luftëtari të përkushtuar, si dhe shembullin e një dëshmori frymëzues.
Lavdi dëshmorit Agron Rrahmani, i rënë për lirinë e Kosovës bashkë me shokët dëshmorë, Bahri Fazliun dhe Ilir Konushevcin!