Kuçi: Diskursi i Kurtit është i qartë, armik është ai që më del kundër
Zëdhënësja e Partisë Sociademokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se situata në veri u përcoll me deklarime problematike të kryeministrit Albin Kurti.
Kuçi përmes një reagimi në postimin e saj në Facebook, ka thënë se Kurti me reagimin e tij të dielën, shpalli mediat armiq të popullit.
“Në vazhdim, na tregoi që për tu informuar drejt, qytetarët duhet të dëgjojnë çka shkruhet në faqet e qeverisë; aty, na thotë Kurti, potenciali që të joshesh nga armiku nuk ekziston. Aty është fakti, objektiv e i verifikuar, e jo i ëmbëlsuar djallëzisht nga qarqet armike siç i shohim në televizione e portale, të cilat nuk ndajnë mprehtësinë e vetëdijen e "shkëlqesisë", ka thënë tutje Kuçi.
Ajo tutje ka thënë se diskursi i Kurtit është i qartë, "armik është ai që më del kundër".
Postimi i plotë në Facebook:
Fiasko e Kurtit në veri u përcoll me deklarime thellësisht problematike të tij në lidhje me ngjarjet atje teksa shpaloseshin.
Kurti në reagimin e tij me një fjalë shpalli armiqtë e popullit atë ditë; tha që media, me vetëdijen e tyre apo pavetëdijshëm, po i shërbejnë interesave të Serbisë. Çfarëdo raportimi i tyre që nuk përkon me diskursin zyrtar të partisë automatikisht i shërben armikut, apo jo?
Në vazhdim, na tregoi që për tu informuar drejt, qytetarët duhet të dëgjojnë çka shkruhet në faqet e qeverisë; aty, na thotë Kurti, potenciali që të joshesh nga armiku nuk ekziston. Aty është fakti, objektiv e i verifikuar, e jo i ëmbëlsuar djallëzisht nga qarqet armike siç i shohim në televizione e portale, të cilat nuk ndajnë mprehtësinë e vetëdijen e "shkëlqesisë".
Diskursi i Kurtit është i qartë: Armik është ai që më del kundër. S'kemi pse t'i dëgjojmë e as t'i shohim. Fakti që janë kundër i bënë de facto armiq; armiq të popullit. Ky diskurs i rrezikshëm nuk duhet të gjejë rehati pa kundërshti. Një pushtet i tillë me tendenca autoritare nuk guxon të qëndrojë rehat duke amortizuar kundërshtimin opozitar.