MINT largon nga puna zyrtarin që kundërshtoi procesin për Rezervat Shtetërore: "Ministrja Hajdari më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën 'mbylle gojën'"
Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) me ministre Rozeta Hajdarin, e ka larguar nga shërbimi civil Ermal Kutllovcin, që kishte kundërshtuar vendimet për Rezervat Shetërore.
Përmes një shkrimi në Facebook, zyrtari i MINT-it Kutllovci ka thënë se ai është larguar nga puna për shkak të kinse “shkeljeve disiplinore dhe sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale, gjatë një takimi të mbajtur me zyrtarë të MINT-it”.
“Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022. Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi Ministren Rozeta Hajdari, se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe përkundër kundërshtimeve të drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimeve të njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do tentohej të demantohet shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi.” – ka shkruar fillimisht ai.
Më tej, ai ka treguar se ministrja Hajdari i ka thënë “mbylle gojën” gjatë një takimi që ajo ka pasur në dhjetor 2023 në Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM).
“Pas heshtjes totale për këtë situatë të ndjeshme, ndodhi ajo çfarë secili prej jush e keni parë përmes mediave, aksionin e Prokurorisë Speciale e Policisë së Kosovës e ku ne zyrtarët e institucionit e përjetuam emocionalisht! Çuditërisht edhe kjo situatë kaloj në heshtje sikurse nuk ndodhi asgjë?! Mirëpo, mllefi i heshtur dhe i akumuluar i Ministres Rozeta Hajdari, karshi meje fatkeqësisht për të e fatmirësisht për interesin publik e shtetëror shpërthej me datën, 11 dhjetor 2023, Ora 15:35, ku ajo së bashku me zv.Ministrat z. Mentor Arifaj dhe z. Resul Makreshi, zv.Sekretarin e Përgjithshëm z. Daut Latifaj dhe Shefin e Kabinetit z. Kushtrim Dakaj, e vizituan Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM).”
“U trondita me sjelljen dhe tendencën e Ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve.”
“Ministrja, Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër z. Daut Latifaj, zv.Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore. Ky zbatuesi i urdhrave përpos deficitit të lartë në aspektin profesional është caktuar zv.Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L-113, Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, konkretisht Nenin 18, Paragrafi 5. I njëjti me paramendim vepron në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-197 Për Zyrtarët Publikë, konkretisht me Nenin 59, Paragrafi 2, 3 dhe nënparagrafin 3.1. Për veprimet e tij të kundërligjshme e tendencioze, natyrisht se do të përballet me proceset e mëtejme ligjore.”