Kundërshtim ndaj taksës mbi produktet menstruale, organizata "Qika" me aksion para Qeverisë
Organizata “Qika” ka mbajtur aksion para ndërteses së Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë kundërshtuar taksën prej 18% të produkteve menstruale.
Gjatë këtij aksioni u është bërë thirrje edhe deputetëve e të Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin nismë legjislative përmes së cilës pecetat menstruale dhe tamponët lirohen nga tatimi për vlerën e shtuar.
Leonida Molliqaj, e cila e drejton organizatën “Qika” ka thënë se blerja e produkteve menstruale është barrë për gratë në Kosovë.
“Sot i sollëm pecetat menstruale dhe leckat me ngjyrë të kuqe para dyerve të qeverisë, me produkte menstruale zaptuam shkallët e hyrjes së këtij institucioni për t’ ju bërë me dije qeveritarëve që varfëria menstruale ekziston. Blerja e produkteve menstruale është një barrë që rëndon mbi gratë padrejtësisht, për shkak të kushteve të rënduara ekonomike shumë gra nuk mund ta përballojnë blerjen e pecetave andaj në pamundësi të mjeteve të duhura ato detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin e tyre”, ka thënë ajo.
Këtë taksë ajo e ka cilësuar si seksiste.
“Kjo taksë është seksiste sepse ne po takosohemi për menstruacionet tona, pra taksë veç pse jemi gra. Duke vërejtur refuzimin e qeverisë tash e sa kohë për të shtyrë përpara këtë çështje ‘Qika’ nga këtu fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që ti bashkohen iniciativës sonë të bëhen bashkë dhe të ndërmarrin nismën legjislative përmes së cilës pecetat menstruale dhe tamponët lirohen nga tatimi për vlerën e shtuar dhe kategorizohen si mall i liruar nga tatimi doganor”, ka thënë ajo.
