Kumbaro – Furxhi: Numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur mbi 100 për qind
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, ka treguar se numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur për 110 për qind.
Gjatë vizitës në Beograd, ajo ka folur për përmirësimin e bashkëpunimit dhe performancës në tregjet e përbashkëta.
“Është rezultat i komunikimit më të mirë brenda Ballkanit të Hapur, i cili krijon frymën e komunikimit që është e nevojshme [për bashkëpunim]”, ka thënë ajo pas takimit me ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq.
Duke folur për sezonin e sivjetshëm në Shqipëri, ajo theksoi se në katër muajt e parë, numri i turistëve nga e gjithë bota është rritur me 55 për qind dhe numri i turistëve nga Serbia me 29 për qind.
Ajo tha se viti 2019 ishte viti më i mirë turistik në të cilin erdhën në Shqipëri rreth 6.4 milionë turistë, përfshirë edhe ata nga rajoni./rel/