Kujdesi për shëndetin gjatë Ramazanit, IKShPK iu tregon qytetarëve çka të hanë për syfyr dhe iftar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve që te kenë kujdes gjatë muajit të Ramazanit.
Ai ka dalë me disa rekomandime për qytetarët se si duhet të kujdesen për shëndetin gjatë këtij muaji.
Përmes një njoftimi, IKShPK iu ka treguar qytetarëve se çka duhet konsumojnë për iftar.
“Muaji i Ramazanit sjell një ndryshim të përditshmërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në stilin e jetesës, ushqyerjen dhe ritmet e trupit. Gjatë këtij muaji, agjërimi ndikon në metabolizëm, hidratim, orare të gjumit dhe aktivitetin fizik, prandaj kujdesi për shëndetin ka rëndësi të veçantë. Hani një dietë të balancuar dhe qëndroni të hidratuar. Pini mjaftueshëm ujë dhe konsumoni ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë. Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer, për të evituar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta. Për iftar, zgjidhni një vakt të shëndetshëm: filloni me hurma, ujë, shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk. Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara. Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen”, është thënë në njoftimin e institut, duke treguar se çka duhet të konsumohet për syfyr.
“Për syfyr konsumoni një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, dhe një burim yndyre të shëndetshme si avokado. Shmangni ëmbëlsirat e tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë. Për ëmbëlsirë zgjidhni fruta të freskëta sezonale. Syfyri nuk duhet të anashkalohet dhe as të zëvendësohet vetëm me konsumimin e ujit, pasi kjo mënyrë e të ushqyerit mund të dëmtojë shëndetin. Qëndrimi për orë të gjata pa ushqim ndikon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që e bën personin më pak energjik, më pak të lëvizshëm dhe më pak produktiv”, është thënë në njoftim.