Kuçi e PSD-së pas marrëveshjes për targa: Po bëhet hapi i madh që Kosova ta pranojë Asociacionin - NACIONALE

Kuçi e PSD-së pas marrëveshjes për targa: Po bëhet hapi i madh që Kosova ta pranojë Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka komentuar marrëveshjen e arritur për targa mbrëmë në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kuçi në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se në Kosovë po legalizohen strukturat paralele serbe, dhe kështu bëhet hapi i radhës dhe më i madhi që Kosova ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja e arritur në Bruksel në lidhje me targat mes Kosovës dhe Serbisë, edhe një herë e konfirmon atë që PSD-ja e ka paralajmëruar prej kohësh: Në Kosovë po legalizohen strukturat paralele serbe, dhe kështu bëhet hapi i radhës dhe më i madhi që Kosova ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Përveç këtij hapi, argumenti tjetër që i heq dilemat që në Kosovë do të instalohet Asociacioni, është dakordimi i Qeverisë që të implementohen të gjitha marrëveshjet e deri tanishme mes Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2011. Sigurisht, dialogu që e ka nisur Kurti në binarë të njëjtë dhe me qasje të njëjtë sikurse qeveritë paraprake, nuk mund të dërgojë askund tjetër, përveç Asociacionit”, ka thënë Kuçi.

Zëdhënësja e PSD-së tutje ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimin e madh se do ta nxjerr Kosovën nga kërcënimi i një Asociacionit, por sipas Kuçit, VV sot po e pranon vetë.

Marrëveshja e arritur në Bruksel, përveç tjerash është edhe tjetërsim i vullnetit të popullit, madje tjetërsim i dyfishtë. Së pari, të krijohet një Asociacion i tillë i cili e bën komplet jofunksional në mënyrë normale shtetin e Kosovës, është tjetërsim i qëndrimeve të dikurshme. Së dyti, ky hap regresiv dhe i dëmshëm i Qeverisë Kurti, është edhe tjetërsim i besimit të qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet pikërisht me premtimin e madh se do ta nxjerrë Kosovën nga kërcënimi i një Asociacioni. Sot po e pranon vetë, sikurse qeveritë tjera. Kjo tjetërsim nuk vjen si pasojë e fibrës antikombëtare të Kurtit, por vjen si pasojë e mosdijes dhe arrogancës së tij”, ka thënë tutje ajo.

Lajme të ngjashme