“Kthema adresën”, kryetarja e Preshevës i fton shqiptarët të protestojnë më 3 nëntor
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka ftuar shqiptarët e kësaj komune që të marrin pjesë në protestën kundër pasivizimit të adresave, e cila do të bahet më 3 nëntor.
Ajo ka bërë me dije se kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të së drejtës së çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në vendlindje.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se shqiptarët duhet të bashkohen për identitetin dhe të ardhmen e tyre.
“Në Medvegjë për të kërkuar drejtësi dhe për të rikthyer adresat e pasivizuara në mënyrë të padrejtë! Të mos lejojmë që qytetarët tanë të humbasin të drejtën për identitet dhe ekzistencë në vendin e tyre. Data: 3 Nëntor 2024 Ora: 13:00 Lokacioni: Para stacionit policor në Medvegjë. Kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të së drejtës së çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në vendlindje. Mos hesht! Bashkohu për identitetin dhe të ardhmen tonë!”, ka shkruar Sinani.