Kryeziu: Veriu dhe Serbia s’janë problemi i vetëm i Kosovës, përdoret si mbulesë
Ismet Kryeziu, drjetor i KDI-së, ka shkruar në lidhje me sa reale janë problemet e veriut dhe Serbisë.
Sipas Kryeziut, veriu dhe Serbia nuk janë problemi i vetëm i Kosovës. Madje, Kryeziu beson se këto dy çështjen nuk janë “as maja e problemeve që kemi si shoqëri”.
Tutje, Kryeziu ka vlerësuar se veriu i Kosovës dhe Serbia përdoren si mbulesë për të shmangur adresimin e sfidave reale.
“Veriu dhe Serbia nuk janë problemi i vetëm i Kosovës, e as maja e problemeve që kemi si shoqëri.
Për vite me radhë, veriu është përdorur si mbulesë për të shmangur adresimin e sfidave reale që pengojnë përparimin e shoqërisë sonë, si reformat e nevojshme në zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Vazhdojmë të përballemi me mungesën e etikës dhe integritetit në qeverisje, me mungesë të reformave të domosdoshme në arsim dhe shëndetësi, me zyrtarë të profileve të larta të akuzuar për keqpërdorim të pozitave publike, me gjyqësor jo efikas në ndëshkimin e korrupsionit, me tenderë një burimor e lidhje të kompanive me profile të larta politike. Nepotizmi dhe politizimi i bordeve me militantë dhe aktivistë partiakë vazhdojnë të jenë problem” – ka shkruar ai.