Kryeziu: Humbja e fundit zgjedhore e LDK-së nuk duhet interpretuar si një zhvillim i izoluar
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar zhvillimet e fundit në LDK.
Ai ka bërë me dije se kjo nuk duhet interpretuar si një zhvillim i izoluar, por si vazhdimësi e një trendi të rënies dhe stagnimit që e ka karakterizuar këtë parti përgjatë disa cikleve zgjedhore.
“Humbja e fundit zgjedhore e LDK-së, nuk duhet interpretuar si një zhvillim i izoluar, por si vazhdimësi e një trendi të rënjës dhe stagnimit që e ka karakterizuar këtë parti përgjatë disa cikleve zgjedhore. Ky realitet tregon për një problem strukturor dhe politik, jo thjesht për një dështim të momentit. Gjashtë vite udhëheqje pa rezultate domethënëse zgjedhore përbëjnë një çështje serioze të legjitimitetit politik të lidershipit aktual. Duke u nisur nga standardet dhe vlerat e partive politike demokratike, e jo të formacioneve lideriste, në demokracitë funksionale partiake humbjet e përsëritura zakonisht prodhojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike. Kjo përgjegjësi, në mungesë të mekanizmave të tjerë efektivë, materializohet përmes dorëheqjes së kryetarit dhe lidershipit udhëheqës”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Dorëheqja nuk duhet parë dhe as nuk është ndëshkim personal, por një mekanizëm demokratik dhe institucional për hapje, ristrukturim dhe ripozicionim politik. Në përfundim, humbja zgjedhore kërkon përgjegjësi konkrete dhe ndryshim përmbajtësor. Pa ndryshim në lidership dhe në qasjen politike, çdo zhvillim tjetër rrezikon të mbetet formal dhe çdo reformë të jetë thjesht sipërfaqësore”, ka shkruar ai.