Kryetari i Suharekës demanton Qeverinë: Asnjë cent nuk kemi rritje të buxhetit për investime kapitale
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka demantuar Qeverinë e Kosovës, e cila pretendon se ka rritur buxhetin e komunave për vitin 2024.
Ai ka bërë me dije se komuna që ai drejton nuk ka përfituar asnjë cent rritje për investimeve kapitale nga ndarja e buxhetit të qeverisë për vitin e ardhshëm.
Muharremaj ka treguar se rritja e buxhetit, të cilën po e proklamon qeveria, është vetëm për paga dhe mëditje.
Sipas tij, rritja në këtë kategori ka ndodhur për shkak të ligjit në fuqi.
“Sa i përket buxhetit për vitin 2024 rritje tek investimet kapitale nuk kemi asnjë cent. Ka rritje tek pagat dhe mëditjet. Këta po thonë që kemi rrit buxhetin nëpër komuna, mirëpo ato shkojnë të gjitha në paga dhe mëditje për shkak të ligjit që është në fuqi”, ka thënë Muharremi për KosovaPress.