Kryetari i Pensionistëve: Më se keqi të plakesh në Kosovë
Të moshuarit në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare për të Moshuarit u mblodhën para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku ngritën zërin për të drejtat e tyre.
Në këtë rast, kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, është shprehur se janë mbledhur për të kërkuar rritjen e pensioneve për shkak të situatës me inflacionin.
“Problemi më i madh është që qeveria nuk po respekton ligjin aktual, në nenin 14 në të cilën thuhet që pensioni do të rritet komfor inflacionet që ndodh brenda një viti. Qeveria ka për obligim sipas atij ligji të bëjë vlerësimin e inflacionit dhe në bazë të saj ti rris pensionet, ajo këtë nuk po e bënë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Gashi ka kërkuar që të hiqen kriteret diskriminuese për pensionim, sidomos stazhi i punës prej 15 vitesh deri më 1 janar 1999.
“Në bazë të kësaj që po shohim nuk na vlerësojnë fare… Mirë nuk është mu plak por më së keqi është të plakesh në Kosovë… Besoj që se Kosova gjithë ka pasur personalitete të cilët janë udhëhequr nga vlerat morale dhe besoj që në këtë ganiturë të qeverisjes të deputetëve do të gjinden individë të cilët do të na përkrahin… Kosova është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka fond të sigurimeve pensionale. Thërrasim qeverinë të hartojë ligjin për fondet e sigurimeve pensionale dhe më këtë do të zgjidhet e tërë problematikat e pensionale”, përfundoi Gashi.