Kryeprokurori Isufaj takohet me ambasadorin britanik, bisedohet për rritjen e bashkëpunimit mes prokurorëve rajonalë
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, me ftesë të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka marrë pjesë në një drekë të organizuar nga ambasada e MB-së në Prishtinë.
Ambasada ka njoftuar se në këtë takim, pjesëmarrës ishte edhe prokurori i Maqedonisë së Veriut. Organizimi, sipas njoftimit, u bë në kuadër të projektit të financuar nga Britania e Madhe për rritjen e bashkëpunimit mes prokurorëve në rajon.
“Kënaqësi të pres prokurorët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për drekë në Rezidencën Britanike si pjesë e një projekti rajonal të Ballkanit Perëndimor të financuar nga Britania e Madhe, i projektuar për të krijuar një zinxhir më të fortë dhe më efektiv të drejtësisë penale, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit midis prokurorëve rajonalë. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve efektive dhe të pavarura është një element kyç drejt përfundimit të ciklit vicioz të krimit dhe korrupsionit që gërryen besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.” – thuhet në njoftimin e ambasadës britaneze.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale është bërë cak i sulmeve të vazhdueshme të vetë Kurtit dhe ministrave të tij pas arrestimeve të fundit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrjeve dhe Tregtisë, lidhur me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në aferat e vajit dhe grurit.