Kryeministri spanjoll viziton Ballkanin, injoron Kosovën
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të premten do të nisë një vizitë katërditëshe në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për dy ditë ai do të qëndrojë në Beograd, para se të vazhdojë në Sarajevë, Mostar, Podgoricë, Shkup e Tiranë, shkruan “Euronews Serbia” që thekson se një nga çështjet në fokus do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian.
Prishtina do të injorohet sërish nga Spanja, që mbetet ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që refuzon njohjen e Kosovës shtet. Megjithatë çështja e dialogut Kosovë-Serbi pritet të jetë kryetemë gjatë vizitës që Sanchezi do t’ia bëjë Serbisë.
Në samitin e liderëve të BE-së me ata të Ballkanit në Bruksel në qershor, Sanchez u shpreh pro që të “riaktivizohet e të ringjallet procesin e zgjerimit” për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Do të jetë hera e parë që një kryeministër i Spanjës viziton Serbinë pas disa dekadash. Sipas analistëve në Serbi, vizita e Sanchezit ka rëndësi të madhe për shkak të raporteve ndërshtetërore, por edhe për çështjen e dialogut me Kosovën.
Edhe pse Spanja vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet, Sanchezi nga samiti me shtetet e Ballkanit ishte shprehur se nuk është kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./EuronewsSerbia