Kryeministri Kurti merr pjesë në Procesin e Berlinit që mbahet sot
Në kryeqytetin e Gjermanisë sot do të mbahet Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë samit, që njihet ndryshe edhe si Procesi i Berlinit, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëton për në kryeqytetin e Gjermanisë për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet më 3 nëntor në kuadër të Procesit të Berlinit”- thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është raportuar se nuk do të jetë pjesë e takimit të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
