"Kryemadhi", "Naimi" dhe "Orhani: Tre top karakteret e "Kafeneja Jonë" me komedi për Vitin e Ri në T7
Tre top aktorët komikë të sitkomit të famshëm "Kafeneja Jonë", Fatmir Spahiu, Donat Qosja dhe Fatos Kryeziu, të njohur për rolet "Orhani", "Naimi" dhe "Kryemadhi", do të rikthehen në ekranet tona me një komedi televizive për natën e Vitit të Ri.
Lajmi është bërë publik nga aktori Spahiu, i cili me anë të një postimi ka zbuluar emrin e komedisë "Na atje, ata këtu", por ka dështuar të tregojë më shumë rreth narrativës së ngjarjes.
“Komedi televizive qe do te transmetohet naten e vitit te ri ne T7 🎥 📺 😆 🪩”, ka shkruar ai derisa në të djathtën e tij pozicionohen Kryeziu e Qosja, me "Orhanin" që bartë ato që duken doreza portierësh... për të lënë edhe më shumë pikëpyetje rreth asaj që mund të shohim nga treshja në ndërrim vigjiljesh.
Nëse del të jetë aq qesharake sa ishte kur i pamë për herë të fundit këta të tre, atëherë na pret një natë e gjatë zgërdhirjesh më 31 dhjetor.
Oh, dhe episodi apo episodet komike do të transmetohen në T7.