Kryediplomati iranian thotë se bisedimet me ShBA-në në Oman ishin “fillim i mirë”
Zyrtarë të lartë amerikanë e iranianë kanë mbajtur bisedime në Oman në kohën e një krize që ka shkaktuar shqetësim për një ballafaqim të mundshëm ushtarak mes dy vendeve.
Duke folur në televizionin shtetëror pas bisedimeve, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, por e përshkroi takimin si një “fillim të mirë”, raporton televizioni BBC.
Irani më parë ka thënë se bisedimet me Uashingtonin do të jenë të kufizuara vetëm rreth programit bërthamor. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, kanë thënë se në diskutime duhet të përfshihen edhe raketat balistike të Iranit dhe mbështetja që Teherani ua jep grupeve të armatosura në rajon.
Më herët, Omani tha se kryediplomati i tij kishte mbajtur bisedime të ndara me Araghchi-n dhe me emisarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner.
Omani tha se “konsultimet u përqendruan në përgatitjen e kushteve të duhura për rinisjen e bisedimeve diplomatike e teknike”.
Rundi i fundit i bisedimeve mes ShBA-së e Iranit për programin bërthamor iranian ishte caktuar për qershorin e vitit të kaluar, por kishte dështuar pas sulmit të befasishëm të Izraelit ndaj Iranit.
Në javët e fundit, Trumpi ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin, nëse ky shtet nuk arrin marrëveshje. Vendi aziatik është zotuar për t’u kundërpërgjigjur me forcë, duke kërcënuar se do t’i sulmonte qendrat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme e në Izrael./Nacionale