Kryeakademiku Mehmet Kraja befason me katër 'operacione' në Facebook, fshin dhe bllokon Nacionalen
Duket se kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, nuk arrin ta tolerojë mendimin ndryshe. Sidomos atë mendim që vë në pah gabimet gjuhësore të tij. Së fundi, ai ka ‘befasuar’ me disa ‘operacione’ online.
AShAK kishte botuar një ‘analizë’ me një mal gabimesh drejtshkrimore e logjike më 23 nëntor (më pas i kishte ndryshuar edhe datën). Mehmet Kraja, kryetar i saj (ndoshta edhe shkruesi i analizës), e kishte shpërndarë në Facebook.
Pasi Nacionale e interpretoi këtë ‘analizë’, dhe pasi u mor specifikisht edhe me gabimet drejtshkrimore, ai reagoi me një postim tjetër në Facebook.
Operacioni I:
Administratorët e faqes së Nacionales në Facebook i reaguan me anë të një komenti. Ata ia postuan artikullin ku evidentoheshin 118 gabimet drejtshkrimore në ‘analizë’.
Por, Krajës nuk iu durua dhe fshiu komentin e Nacionales.
Operacioni II:
Administratorët e faqes së Nacionales në Facebook përsëri i komentuan Krajës, por kësaj here duke e lutur që të mos e fshinte komentin.
Pasi priti për një periudhë disaminutëshe, megjithatë Kraja sërish përdori opsionin ‘delete’.
Operacioni III:
Kraja atë postim, siç mund ta evidentoni edhe ju, e ka ‘edituar’ plot tri herë. Kjo është një shkathtësi mjaft e pëlqyeshme në botën online.
Operacioni IV:
Por, Kraja s’është mjaftuar me kaq. Administratorët e Nacianales kanë njoftuar se ai ka bllokuar faqen e Nacionales në Facebook. Pse?
Kraja edhe më herët ishte 'konfrontuar' me gazetën Nacionale, por asokohe për shkronjën "Ë".