Kremlini thotë se Putini do të fluturojë me bombarduesin strategjik supersonik “TU-160M”
Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, do të fluturojë me një bombardues strategjik supersonik të modernizuar të tipit “TU-160M” të enjten, raportoi televizioni shtetëror.
Aeroplani gjigant është version i modernizuar i një bombarduesi të periudhës sovjetike që ish-Bashkimi Sovjetik do ta dislokonte në rast të një lufte bërthamore me Perëndimin për të bartur armë bërthamore në largësi të madhe, raporton agjencia “Reuters”.
Bombarduesi “TU-160M” mund të bartë 12 raketa me vetëdrejtim ose 12 raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe mund të fluturojë 12 mijë kilometra pa ndërprerje dhe pa rimbushje me karburant.
Të mërkurën, gazeta britanike "The Telegraph" publikoi një video ku Putini shihet duke e inspektuar këtë aeroplan.