Kremlini reagon pas paralajmërimit të ShBA-së për kapacitetet bërthamore ruse në hapësirë - NACIONALE

Kremlini reagon pas paralajmërimit të ShBA-së për kapacitetet bërthamore ruse në hapësirë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia të enjten hodhi poshtë një paralajmërim të Shteteve të Bashkuara për kapacitete të reja bërthamore ruse në hapësirë, duke e quajtur “fabrikim dashakeq” dhe mashtrim të Shtëpisë së Bardhë me qëllim që të binden ligjvënësit amerikanë për të miratuar më shumë fonde për t’iu kundërvënë Moskës.

Shtetet e Bashkuara u kanë treguar Kongresit dhe aleatëve në Evropë për të dhëna të reja të inteligjencës në lidhje me kapacitetet bërthamore ruse që do të mund të paraqisnin kërcënim ndërkombëtar, i tha të mërkurën agjencisë “Reuters” një burim i njoftuar për këtë çështje.

Sidoqoftë, burimi tha se kapacitetet e reja, të ndërlidhura me përpjekjet e Rusisë për të zhvilluar një armë me bazë në hapësirë, nuk paraqesin kërcënim urgjent ndaj ShBA-së.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk do ta komentonte thelbin e raportimeve derisa të publikohen hollësi të reja nga Shtëpia e Bardhë, por shtoi se paralajmërimet e Uashingtonit janë qartazi përpjekje për ta bindur Kongresin që të miratojë më shumë të holla.

“Është e qartë se Shtëpia e Bardhë është duke u munduar, në çdo mënyrë, që ta inkurajojë Kongresin për të votuar një projektligj për të ndarë të holla, kjo është e qartë” – citohet të ketë thënë Kremlini, sipas raportimit të agjencisë ruse të lajmeve, TASS.

“Ne do të shohim se çfarë mashtrimesh do të përdorë Shtëpia e Bardhë” – shtoi Peskovi.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, i ngarkuar i Moskës për kontrollimin e armëve, i akuzoi Shtetet e Bashkuara për “fabrikim dashakeq”, sipas agjencisë TASS.

Lajme të ngjashme