Krasniqi tregohet krenar me PDK-në, nuk flet për kritikat e Musliut
Partia Demokratike e Kosovës sot ka zyrtarizuar vendimin për përfaqësim gjinor të barabartë, në një konventë ku parulla kryesore ishte “50/50”. Patetike, i është dukur kjo një prej deputeteve më të zëshme të partisë, Ganimete Musliu, e cila në një shkrim të gjatë ka shprehur pakënaqësinë e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vizioni 50/50 dhe synimi i barazisë gjinore në vendimmarrjen e PDK-së, do të ishte i pakuptimtë pa entuziazmin dhe përkushtimin e aktivistëve të rinj të PDK-së.
I pari i PDK-së nuk tha asnjë fjalë për mos pjesëmarrjen e Ganimete Musilut në këtë konventë.
Vetë Musiu, përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se nuk ishte pjesëmarrëse në këtë konventë.
“Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, tha ajo.
Reagim pati vetëm nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Çitaku përmes një shkrimi në Facebook, tha se PDK-ja do të reformohet, e jo të “tjetërsohet”.
Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Barazia gjinore në vendimmarrje, 50/50, vizion dhe qëllim që do ta kemi tash e tutje, nuk ka kuptim pa energjinë pozitive dhe përkushtimin e aktivisteve të reja të PDK-së.
Sot, gjatë Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, kisha kënaqësinë që të bashkëbisedoj me përfaqësuese të së ardhmes së PDK-së, Arbnora Salihun, Aurora Nurën, Dhurata Muharremin, Jona Arifin dhe Vlera Tahirin. Idetë dhe planet e tyre për Kosovën, janë asgjë më pak sesa vlera të jashtëzakonshme! Vërtetë, jam krenar me potencialin që kemi në mesin tonë.