Krasniqi takon komisionerin Varhelyi: Për Kosovën është e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, më të cilin ka diskutuar për procesin e integrimit të Kosovës në BE.
I pari i PDK-së ka thënë se për qytetarët është tejet e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se për PDK-në anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është rruga e vetme përpara.
“Gjatë vizitës sime në Bruksel, takova edhe Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. Bashkë diskutuam për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë që shteti ynë të mos lihet mbrapa në këtë proces. Për shtetin dhe qytetarët tanë, është tejet e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë dhe e prekshme. Për PDK-në, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe institucionet euro-atlantike, është vizioni, misioni dhe rruga e vetme përpara”, ka shkruar Krasniqi.