Krasniqi: Protesta e 1997 lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar protestën e studentëve të mbajtur me 1 tetor të vitit 1997.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo protestë është shndërruar në protestë gjithëpopulle, e cila lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme.
“Në ballë të kësaj proteste të madhe studentore, para 25 vitesh, do të gjendej Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Ejup Statovci, dhe personeli akademik, që bashkë me studentët e nën organizimin e UPSUP, shfaqeshin si kurrë më parë, të bashkuar, të vendosur dhe me një zë kundër shtypjes dhe regjimit autoritar të Millosheviçit”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka thënë se ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, kundër çdo denigrimi që i bëhej popullit të Kosovës.