Krasniqi pret drejtuesit e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim udhëheqësit e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), partisë pan-evropiane që mbledhë rreth vetes partitë liberale nga mbarë Evropa.
Krasniqi në Facebook ka shkruar se delegacionin e ALDE-s, të prirë nga bashkëpresidenti i saj, eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, e ka njoftuar për zhvillimet dhe reformat që ka ndërmarr PDK-ja së fundmi, me theks të veçantë fuqizimin e grave dhe të rinjve në vendimmarrje.
“Bashkë diskutuam edhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e PDK-së lidhur me to. Në Kongresin e fundi të ALDE-s në Dublin të Irlandës, ku isha pjesëmarrës nga 2 deri 4 qershor, kam shprehur vullnetin e PDK-së që të bëhemi anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance”, ka shkruar Krasniqi.
Ai gjithashtu ka falënderuar delegacionin e ALDE-s e për vizitën dhe vullnetin për të mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës në vizionin e saj të ri.