Krasniqi: Presidenti Biden ka qenë gjithmonë një shtyllë e fortë mbështetëse për Kosovën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar presidentin amerikan, Joe Biden, i cili mori vendim për largim nga gara për një mandat të dytë, duke thënë se Biden ka qenë gjithmonë një shtyllë e fortë mbështetëse për Kosovën.
Krasniqi ka thënë se vendimi Bidenit u mor në ditën kur delegacioni nga Kosova 14 vjet më parë kishte viztuar Shtëpinë e Bardhë.
“Dje, kur Presidenti Biden publikoi vendimin për tërheqje nga gara presidenciale, për rastësi, ishte edhe 14 vjetori i vizitës së delegacionit tonë në Shtëpinë e Bardhë, të cilit i printe ish-Kryeministri Thaçi. Atë ditë, ish-zëvendëspresidenti Biden, duke mos e fshehur mbështetjen dhe admirimin e tij për asnjë moment, e kishte quajtur ish-Kryeministrin Thaçi si “George Washingtoni i Kosovës”.” – ka shkruar Krasniqi.
Shkrimi i Krasniqit:
Faleminderit President Biden!
Në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi e zhvillim, Presidenti Biden ka qenë gjithmonë një shtyllë e fortë mbështetëse. Si senator, si zëvendëspresident dhe si president i SHBA-së, angazhimi i Joe Biden për shtetin tonë ka qenë i pandërprerë.
Lidhja e Presidentit Biden me Kosovën tejkalon pozicionet që ka bartur ai dhe shtrihet edhe në rrafshin familjar. Beau Biden, djali i tij i ndjerë, pas çlirimit të Kosovës, kishte kontribuar në ndërtimin e institucioneve tona. Sot, me krenari, një rrugë e vendit tonë mban emrin e tij.
Dje, kur Presidenti Biden publikoi vendimin për tërheqje nga gara presidenciale, për rastësi, ishte edhe 14 vjetori i vizitës së delegacionit tonë në Shtëpinë e Bardhë, të cilit i printe ish-Kryeministri Thaçi. Atë ditë, ish-zëvendëspresidenti Biden, duke mos e fshehur mbështetjen dhe admirimin e tij për asnjë moment, e kishte quajtur ish-Kryeministrin Thaçi si “George Ëashingtoni i Kosovës”.
President Biden, Kosova, populli ynë, janë me fat dhe shumë të lumtur që përkrah kanë pasur një mbështetës kaq vokal dhe të rëndësishëm siç ishit ju. Pa ju, historia e suksesit të shtetit tonë nuk do të ishte e njëjtë. Ky sukses do të mbetet testament i gjithëkohshëm i kësaj lidhjeje të veçantë.
Faleminderit përjetësisht – ty dhe familjes Biden.