Krasniqi për Hamzën: PDK-ja sot zgjodhi një udhëheqës me integritet, dije, përkushtim dhe rezultate
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK-ja ka hyrë në një fazë të re, duke zgjedhur sot një udhëheqës me integritet të lartë, njohuri të thella dhe përkushtim të dëshmuar.
Duke folur për Bedri Hamzën, Krasniqi theksoi se ai e ka vërtetuar kompetencën e tij në çdo pozicion që ka mbajtur.
“Sot, Partia Demokratike e Kosovës nisi kapitullin e saj të ri. Në të njëjtën sallë ku, para 1600 ditësh, mora besimin për ta udhëhequr PDK-në, sot ia dorëzova këtë Kryetarit të ri të partisë, Bedri Hamzës. E bëra këtë jo si hap prapa, por si hap përpara për PDK-në”.
“PDK sot zgjodhi një udhëheqës me integritet, dije, përkushtim dhe rezultate. Një njeri që e njeh shtetin, e njeh ekonominë, e njeh përgjegjësinë. Një profesionist që e ka dëshmuar veten në çdo detyrë dhe që sot merr përsipër drejtimin e familjes sonë politike. Bedri Hamza do ta ketë mbështetjen time të plotë. Duhet ta ketë edhe tuajën. Sepse prej sot, ai është përfaqësimi, uniteti dhe forca e PDK-së”, u shpreh Krasniqi.