Krasniqi për 1 Maj flet për "sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë"
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka thënë se si shtet dhe si shoqëri nuk është arritur që të sigurohet trajtimi meritor për punëtorët.
Krasniqi ka thënë se sfidën e madhe të migrimit masiv të të rinjve duhet ta tejkalojmë duke krijuar kushtet të mira të punës, paga konkuruese dhe vlerësim të drejtë të punëtorëve.
Ai është zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës.
Shkrimi i tij:
Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë.
Si shtet e si shoqëri ende s'kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon. Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.
Urime 1 Majin të gjithë punëtorëve në Republikën e Kosovës!
