Krasniqi: Nuk e pret bota Kurtin me bë hajgare, duhet të marrë vendime në javët e ardhshme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar liderët institucionalë për kakofoni në raport me draft-statutin e Asociacionit.
Ai ka bërë me dije se do të ishte papërgjegjësi nëse një gjë e tillë do të ishte e organizuar.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ai ka thënë se bota nuk e pret gjatë kryeministrin Albin Kurti.
“Në njërën anë, presidentja thoshte se duhet ta shkruajmë draftin vetë; kryeministrit thoshte jo po e presim draftin e këtyre. Një herë thoshte kryeministri “i kemi dërguar komentet”, pastaj del zv.kryeministri Bislimi thotë “jo nuk do të dërgojmë komente”. Një ditë del kryetari i Kuvendit thotë “e lexova shpejt e shpejt dhe ish në pajtim me Kushtetutën”, sikur me qenë ekspert kushtetues. Tash së voni doli tha jo nuk bën me e bë atë Asociacion se është shumë i keq. Kryeministri tash i kishte rënë në mend se “mirë është që ta shkruaj unë vetë një draft””, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se liderët institucionalë nuk kanë shumë hapësirë për këto gjera.
“Kjo është një lojë për të cilën nuk kanë më hapësirë. Nëse kryeministri Kurti vërtet ka pasur mbivlerësim për vetveten që taktizimet e tij do t’i ndihmojnë Kosovës, kjo tashmë është evidente që vetëm dëme na kanë sjellë. Por edhe atë hapësire që ka menduar që ka për taktizim tashmë nuk e ka. E ka të minimizuar totalisht, sepse ai nuk do të ketë rrugëdalje, përveç të marrë veprime dhe vendime, në javët e ardhshme. Nuk e pret bota Albin Kurtin me bë hajgare me ta, siç ka bërë deri tash. Po as qytetarët e Kosovës nuk lejojnë me me ba hajgare me ta, siç ka bërë deri tash. Nuk mundesh sot me thënë “e pranova”, nesër “nuk e pranova”, sepse nuk funksionon bota ashtu, e aq më pak partneritete”, është shprehur ai, duke shtuar se me këto veprime të kryeministrit Kosova e ka humbur besimin tek partnerët.
“Unë e thashë që në fillim, ne e kemi humbur respektin e partnerëve të rëndësishëm të Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre arsyeve. Sepse njerëzit dëshirojnë që të kenë një parashikueshmëri në raporte dhe me Kurtin nuk e kanë një gjë të tillë. Andaj sot e kësaj dite nuk e kanë të qartë, as ai si duket, po as qytetarët dhe as partnerët, a e ka pranuar Albin Kurti Draftin e Statusit, a do ta aprovojë në qeveri dhe a do të dërgojë për opinion në Gjykatën Kushtetues. Kjo është ajo për çka duhet të japë përgjigje. Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024”, ka vlerësuar Krasniqi.