Krasniqi: Në ShBA kemi një ndjenjë të mosrespektit ndaj kërkesave të tyre
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili gjindet për vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se koordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë prioritet i Kosovës.
Kreu opozitar thotë se çdo sukses i arritur i Kosovës dhe i popullit të saj ka qenë rezultat i mbështetjes nga ShBA-ja.
Duke komentuar situatën në veri të vendit, Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës me çështjen për targat e ka sjellë dialogun në nivel teknik.
”Çështja e targave është vendim legjitim i Kosovës. Askush nuk e konteston këtë, as partnerët tanë amerikanë, as ata në Evropë, por kërkesa aktuale e miqve tanë, mbështetësve kryesorë të Kosovës është që të ketë një shtyrje disamujore, konkretisht 10 mujore në mënyrë që t’i jepet mundësi avancimit të procesit të dialogut. Është pak vështirë t’ua shpjegojmë partnerëve tanë këtu në Ëashington DC se sot kemi rrezikim të një eskalimi të situatës për çështjen e targave të veturave. Sepse edhe njerëzit që e kanë përcjellë Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet në Kosovë kanë pritur që ne tash të jemi të fokusuar në arritjen e një marrëveshjeje finale”, theksoi kreu i PDK-së.
Ai tha se shteti amerikan gjithmonë i ka parashtruar kërkesat duke pasur për bazë interesin e Kosovës.
”Çdo qytetar i Kosovës sot nuk ndjehet mirë me faktin që ne sot në SHBA kemi një ndjenjë të mosrespektit ndaj kërkesave të tyre”, shtoi Krasniqi.
PDK konsideron se marrëveshja finale e dalë nga dialogu duhet të përfshijë të gjitha çështjet dhe njohjen e Kosovës nga Serbia.
”Duhet të jetë gjithçka pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ne gjithmonë kemi thënë se mënyra për t’iu qasur duhet të jetë ‘nuk jemi dakorduar për asgjë, pa u dakorduar për gjithçka’ ”, tha Krasniqi.
