Krasniqi: Lufta e UÇK-së ishte rruga e vetme për t’i shpëtuar politikës gjenocidale të Serbisë
Ish-zëdhënësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se lufta e UÇK-së nuk erdhi si rezultat i dëshirës për konflikt, por si zgjidhja e vetme që i kishte mbetur popullit të Kosovës përballë politikës gjenocidale të Serbisë.
Në një intervistë për RTK-në, Krasniqi e përshkroi luftën e UÇK-së si një kryengritje popullore, të lindur nga shtypja dhe të udhëhequr nga synimi për liri, dinjitet dhe mbijetesë.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt sublim për lirinë e dinjitetin njerëzor”, ka thënë Krasniqi për RTK-në.
Ai tha se rezistenca e armatosur nuk ishte zgjedhje e lirë, por përgjigje ndaj një realiteti në të cilin rrugët e tjera ishin mbyllur.
“Ajo nuk ishte zgjedhje apo dëshirë e jonë për luftë, por ishte rruga e vetme e mbetur për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë”.
Krasniqi ka thënë se dëshiron që lufta e UÇK-së të zërë vend në histori si një përpjekje e rreshtuar përkrah vlerave demokratike dhe parimeve mbi të cilat mbështetet qytetërimi perëndimor.
“Dua që historia ta shënojë atë si një luftë që u rreshtua përkrah vlerave më të larta të qytetërimit perëndimor dhe botës demokratike”.
Në fund, ai ka shtuar se liria dhe shtetësia e Kosovës janë të pandashme nga sakrifica kolektive e bërë gjatë luftës.
“Ajo duhet të kujtohet me krenari, sepse pa atë sakrificë kolektive, sot nuk do të kishim as lirinë dhe as Republikën e Kosovës!”