Krasniqi lavdëron kryetarin e Mitrovicës: Bedri Hamza është kryetar shembull
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka lavdëruar qeverisjen e PDK-së nëpër komuna.
Ai ka vizituar Komunën e Mitrovicës sw Jugut, ku ka lavdëruar punën e kryetarit Bedri Hamza.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se komunat e udhëhequra janë kampione të qeverisjes së mirë dhe transparencës.
“Komunat të cilat udhëhiqen nga Kryetarët e PDK-së, edhe sipas raporteve zyrtare, janë kampione të qeverisjes së mirë, transparencës buxhetore dhe në realizimin e projekteve transformuese për qytetarët. Bedri Hamza është Kryetar shembull, i cili, me punë, përgjegjësi e profesionializëm, po rikuperon kohën e humbur për qytetin e Mitrovicës. Investimet e Kryetarit Hamza në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, kulturë, sport, bujqësi dhe sektorë të tjerë, po lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai sërish ka përmendur diskriminimin nga Qeveria të komunavave që qeverisen nga PDK-ja.
“Gjatë kësaj vizite, përcolla nga afër punimet që po i realizon Komuna e Mitrovicës në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Shipol dhe në bulevardin “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja pranë lumit Ibër, që lidh shëtitoren e qytetit me shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit të Mitrovicës në parkyn panoramik mbi qytet. Po ashtu, bashë me Kryetarin Hamza, patëm një diskutim shumë frytdhënës me të rinjtë dhe studentët e Mitrovicës. Fatkeqësisht, Qeveria qendrore, e cila po hyn në vitin e katërt të qeverisjes, nuk e ka realizuar asnjë projekt kapital për Mitrovicën. Diskriminimi hakmarrës i Qeverisë ndaj komunave të cilat nuk i udhëheqë partia e Kryeministrit, është zhgënjyes!”, ka shkruar Krasniqi.