Krasniqi i replikon Bislimit për dëmet ekonomike nga sanksionet, ia numëron projektet e bllokuara
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nga sanksionet evropiane ndaj Kosovës “është dëmtuar imazhi ndërkombëtar i vendit dhe ekonomia” ndërsa për këtë gjë ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila përveç se e quajti “fatkëqësi për vendin” pushtetin aktual, numëroi edhe projektet e bllokuara si pasojë e këtyre masave ndëshkuese
Reagimi i Krasniqit:
Zv/Kryeministri Besnik Bislimi, qenka përpjekur sot për t'i ikur përgjegjësisë së dështimit të kësaj qeverie, duke e akuzuar BE-në se e dëmtuan imazhin ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit, me sanksionet e vendosura, të cilat kanë ardhur si përgjigje ndaj injorimit dhe mos përfilljes në veprimet e ndërmarra në pjesën veriore të vendit pa koordinim me aleatët tanë, BE dhe SHBA-në, ku për pasojë e masave të vendosura janë bllokuar projekte në vlerë prej 295 milionë eurove.
Ky pushtet është fatkeqësia e vendit!
Disa nga projektet e bllokuara janë së në vijim:
• 92 mil euro: rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve të Prishtinës
• 9.95 mil euro: menaxhimi i mbeturinave dhe ekonomisë rrethore
• 9 mil euro: menaxhimi i integruar ndërkomunal i mbeturinave në rajonin e Dukagjinit
• 7.2 mil euro: përmirësimi i rrjetit të transmisionit, faza VII
• 7 mil euro: mbështetja e institucioneve të ndryshme për t'iu qasur politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së si dhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
• 6 mil euro: mbështetja e kthimit të komuniteteve dhe ri-integrimi i tyre në shoqëri
• 3 mil euro: efikasiteti energjetik në ndërtesat publike në komuna
• 3 mil euro: qasje e barabartë e vajzave dhe djemve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsimin para fillor, fillor dhe të mesëm
• 2.5 mil euro: përmirësimi i përfshirjes sociale për gratë dhe burrat nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë
• 2 mil euro: rrjeti për grumbullimin e kanalizimeve dhe ujërave të stuhisë në Prishtinë
• 1 mil euro: programe të vullnetarizmit për të rinjtë dhe të rejat.
• 0.8 mil euro: përkrahja e profesioneve juridike
• 0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj
• 0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Podujevë