KQZ pret përfundimin e ankesave para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se procesi i shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit varet nga përfundimi i shqyrtimit të ankesave nga organet kompetente.
Sipas Elezit, partitë politike dhe kandidatët që kanë vërejtje lidhur me administrimin e procesit zgjedhor kanë të drejtë të paraqesin ankesa fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme.
Ai theksoi se KQZ-ja aktualisht është në fazën e pritjes së përfundimit të këtyre procedurave. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si dhe të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe zbatimit të tyre, nëse këto vendime e detyrojnë ndonjë veprim KQZ-në. Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar”, ka deklaruar Elezi.
Ai rikujtoi se subjektet politike kanë një rrugë të qartë ligjore për ankesa. “Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese, fillimisht në PZAP, dhe më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar t’i presë këto afate dhe vetëm pas përfundimit të tyre të vazhdojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi për Ekonomia Online.
Në bazë të procedurave ligjore, rezultati përfundimtar pritet të shpallet vetëm pasi të jenë trajtuar të gjitha ankesat lidhur me procesin e numërimit dhe administrimin e zgjedhjeve.