KQZ pezullon PSD-në: Brenda 45 ditësh duhet ta mbajnë Konventën
Partia Socialdemokrate është pezulluar nga KQZ.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raporton Klan Kosova.
Tetë anëtarë të KQZ-së votuan pro këtij vendimi.
“Kjo parti obligohet që në afatin prej 45 ditësh ta mbajë konventën”, tha kryetari Kreshnik Radoniqi.
Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike në KQZ, Besnik Buzhala, tha se PSD ka dorëzuar kërkesë për shtyrjen e afatit më 12 dhjetor.
“Vetëm tre ditë para datës së fundit për mbajtjen e kuvendit të partisë kanë dorëzuar kërkesë. Nuk është në fakt kërkesë, por kanë treguar se duan ta mbajnë Kuvendin Zgjedhor më 28 janar. Në fakt kjo bie ndesh me nenin 12 të Ligjit, sepse në bazë të kësaj obligohet që njoftimin ta bëjnë të paktën 10 ditë para afatit”, tha ai.