KQZ përmbyll rinumërimin në 185 vendvotime, certifikimi pas afateve të ankesave
Ka përfunduar rinumërimi i të gjitha 185 vendvotimeve për të cilat ishte marrë vendim për rinumërim, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Siç ka njoftuar Elezi, procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, është përmyllur.
“Në vazhdim, ju njoftoj se në orën 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen. Të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate”, tha Elezi.
Ndërsa ka theksuar se për shpalljën e rezultateve përfundimtare, së pari duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e numërimit dhe rinumërimit
“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00.
Për procedurë, më lejoni t’ju njoftoj se, para shpalljes së rezultateve, si zakonisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë e cila është në shqyrtim”, ka shtuar Elezi.