KQZ nis numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i përkasin votimit me kusht, si dhe votimit të personave me nevoja të veçanta, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga gjithsej 57 vendvotime me kusht të hapura në 38 komuna të vendit, në sistem janë evidentuar mbi 9 mijë e 900 votues të regjistruar për këtë formë votimi. Ndërkohë, në programin e posaçëm për votimin e personave me nevoja të veçanta kanë qenë të regjistruar 2 mijë e 860 qytetarë.
“Në ndërkohë, në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellur në Kosovë. Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numëroj fletëvotimet e aprovuara”, thuhet në njoftim.
KQZ-ja njoftoi më tej se ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës
“Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit”, thuhet në njoftim.