Kosovarët po bëhen 'diasporë' prej papunësisë, Kurti e Gërvalla ndajnë 90 mijë euro për diasporë
Qeveria e Kosovës ka ndarë 90 mijë euro për realizimin e një programi të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që mundëson angazhimin e mërgatës në këtë dikaster.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se kështu po e përmbush një pikë të programit të tij qeverisës.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për diplomaci qytetarë të MPJD-së. Në pajtueshmëri të plotë me rregulloren e punës të Qeverisë së Kosovës dhe në kuadër të përmbushjes së programit qeverisës që rritja e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendit, paraqes para jush propozim-vendimin e MPJD-së për miratimin e programit për diplomaci qytetarë dhe ndarjen e mjeteve buxhetore prej 90 mijë euro për realizimin e këtij programi. Pra ky propozim-vendim ka përfshirjen e diasporës në politikëbërje dhe të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke iu dhënë mundësi për përfshirje të drejtpërdrejtë në politikën e Kosovëë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, kryediplomatja Donika Gërvalla, ka thënë se ky program-pilot, do t’i mundësojë diasporës që të angazhohet për gjashtë muaj në institucionin që ajo e drejton.
“Programi është program pilot i ministrisë dhe qëllimi është që të ndërlidhë profesionistët nga mërgata dhe duke iu ofruar mundësi angazhimi në MPJD, si pjesë e një programi gjashtë mujor. Kjo për t’i shkëmbyer përvojat për diplomaci publike dhe ekonomike. Ky program synon të forcojë edhe më tej lidhjen e mërgatës dhe Kosovës”, ka thënë ajo.
Propozimi ka kaluar në Qeveri dhe nuk ka marrë asnjë votë kundër, ndërsa mbledhja po vazhdon ende.