Kosova pëson humbje të thellë në shtëpi nga Ukraina
Kombëtarja e Kosovës në futsall nuk ka arritur t’i bëjë ballë fuqisë së Ukrainës, duke pësuar humbje të thellë.
"Dardanët" provuan me të gjitha forcat për fitore, mirëpo ukrainasit dëshmuan se ishin më të mirë duke triumfuar me rezultat 2:5.
Zhvillohej minuta e gjashtë, kur sulmuesi Ihor Cherniavskyi kaloi Ukrainën në epërsi.
Kosova provoi të mbante më shumë posedimin pastaj, por që mysafirët dyfishuan epërsinë përmes Tevgen Siryi, vetëm dy minuta më vonë (8').
Vendasit pastaj arritën të ngushtojnë epërsinë përmes një goli të bukur të Drilon Maxharraj (17').
Pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar, me dy skuadrat që provonin ta gjenin rrugën drejtë rrjetës, mirëpo vetëm mysafirët e arritën.
Ishte Mykola Mykytiuk që realizoi golin e tretë në minutën e 28-të të ndeshjes, derisa Artem Fareniuk realizoi të katërtin vetëm tre minuta më vonë (31').
Ukraina nuk u ndal më kaq duke realizuar edhe të pestin përmes Yaroslav Lebid (33'), derisa e tëra që arriti të bëjë Kosova ishte goli i dytë, njëkohësisht i fundit i shënuar nga Meriton Salihu vetëm 25 sekonda më vonë.
Kështu, Ukraina vazhdon të jetë e pamposhtur në grupin 11-të për kualifikimet në Kupën e Botës duke pasur gjashtë pikë, derisa Kosova qëndron në fund pa pikë, pasi që patën pësuar humbje edhe nga Holanda.
Kosova ndeshjen e radhës do ta zhvillojë si nikoqir i Holandës në Prishtinë, më 3 mars 2023.