Kosova nuk ka mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, thotë Kurti
Në mbledhjen ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka çmuar lart marrëdhëniet bilaterale për çka tha se mes Prishtinës dhe Shkupit “nuk ka mosmarrëveshje”.
“Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe parterë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë e cili është çdo herë e në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve dhe bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, ka thënë Kurti.
“Takimi i sotëm ka edhe një rëndësi tjetër simbolike, pasi që përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve tona. Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume të cilat na kanë ofruar edhe më shumë me njëri –tjetrin. Por ajo ku duhet të theksojmë më shumë zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë. Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke i nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fushë të rëndësishme, sikurse energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, ka deklaruar ai.