Kosova i thotë ‘Jo’ kërkesës së Serbisë për t’ua dhënë provat për Radojçiqin
Qeveria e Kosovës i ka thënë ‘jo’ kërkesës së autoriteteve serbe që kanë kërkuar t’u jepen provat për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit të udhëhequr nga famëkeqi Milan Radojçiq.
Kërkesën e parashtruar nga autoritetet serbe Ministria e Drejtësisë e ka quajtur “të kundërligjshme” teksa kanë shpjeguar edhe bazën ligjore se pse është e tillë, si dhe argumentet që, sipas tyre, kjo gjë nuk mund të ndodh.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për “RTV Dukagjinin”.
Në shpjegimin e MD-së thuhet se kërkesa e shtruar nga Serbia është me nenin 85, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.