Koreja Veriore e ndërpret tërë bashkëpunimin ekonomik me Korenë Jugore - NACIONALE

Koreja Veriore e ndërpret tërë bashkëpunimin ekonomik me Korenë Jugore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Asambleja Supreme Popullore e Koresë Veriore ka votuar për t’i shfuqizuar të gjitha marrëveshjet me Korenë Jugore rreth promovimit të bashkëpunimit ekonomik, raportoi të enjten agjencia zyrtare e lajmeve, KCNA, përderisa marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë që të përkeqësohen.

Kjo asamble, e cila bën hapa formalë për t’i miratuar vendimet e politikave të Partisë së Punëtorëve në pushtet, gjithashtu votoi për shfuqizimin e ligjeve rreth menaxhimit të lidhjeve ekonomike me Seulin, përfshirë një ligj të posaçëm për operimin e projektit të turizmit “Mali Kumgang”, raporton agjencia “Reuters”.

Udhëtimet në malin me pamje të bukur afër kufirit lindor ishin simbol i bashkëpunimit ekonomik që kishte nisur gjatë një periudhe të angazhimit mes dy vendeve në fillim të këtij mijëvjeçare, duke tërhequr gati dy milionë vizitorë nga Koreja Jugore.

Projekti ishte pezulluar më 2008, pasi një turist nga Koreja Jugore, i cili ishte futur në një zonë të ndaluar, ishte qëlluar për vdekje nga rojat e Koresë Veriore.

Ministria e Unifikimit e Koresë Jugore, e cila merret me marrëdhëniet me Penjanin, tha se veprimet e vendit fqinj nuk janë të befasishme dhe se ato vetëm do ta thellojnë izolimin e shtetit. Një zyrtar shtoi se Seuli nuk e njeh këtë lëvizje të njëanshme.

Koreja Veriore ka thënë se e konsideron Jugun armik në luftë dhe vitin e kaluar shfuqizoi një pakt ushtarak të nënshkruar më 2018 me qëllim të uljes së tensioneve afër kufirit ushtarak të vendosur sipas një armëpushimi që i kishte dhënë fund Luftës Koreane të periudhës 1950 – 1953.

Lajme të ngjashme