Kupina i përgjigjet Matoshit: Vajzë rome e ulur në karrigen e presidentes s`përbën fashizëm
Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, i ka reaguar analistit Halil Matoshi, i cili e ka kritikuar presidenten Osmani për ekspozimin me foto të vogëlushes romes.
Kopina ka vlerësua se një vajzë e komunitetit rom e ulur në karrigen e të parës së shtetit nuk përbën fashizëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se konstatimi i Matoshit është pikërisht stigmatizim.
“Sërish ka problem me konstatimin, sikurse çdo ditë në paraqitjet e tij mediale në të cilat shpesh nuk kursehet nga fashizmi gjuhësor në raport me atë që e cilëson analizë. Prandaj, një vajzë e komunitetit rom e ulur në karrigen e të parës së shtetit nuk përbën fashizëm, siç pretendon Matoshi, por, përkundrazi personifikon mundësinë që secila vajzë, pavarësisht përkatësisë, nesër të jetë në po atë vend”, ka shkruar Kopina.
Madje, ai ka fyer edhe mediat që kanë postuar statusin e Matoshit, duke thënë se qëndrimi i gazetarit po promovohet në “tezgat mediale”.
“Mundësia duhet të shihet si vlerë, ndërkaq konstatimi yt është pikërisht stigmatizim. Kjo vajzë, sikurse edhe të tjerat kanë potencial, ndaj fotoja e shpërfaqë më së miri këtë mesazh dhe është bërë në prezencë dhe me pëlqim të babait të saj. Qëndrimet e tua prej opozitari politik, të veshura me cilësinë e analistit vazhdo t'i promovosh në tezgat mediale. Institucioni i Presidencës pmovovon dhe mbështet barazinë e komuniteteve dhe afirmimit të të drejtave të tyre. Nëse ti ke problem me këtë qasje, atëherë dëshmon mosdurimin tënd, ngase më nuk janë në pushtet dostat e tu”, ka shkruar Kopina.
Analisti Halil Matoshi ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, e cila dje në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, e ka postuar një fotografi të një vogëlusheje 7-vjeçe rome.
Matoshi ka bërë me dije se ekspozimi i vogëlushes rome e dëshmon racizmin kulturor të Presidentes.
“Presidentja raciste! 1. Ekspozimi i nji voglushje 7-vjeçe rome, fikall vetëm në Zyrën e Presidentes së Kosovës - në Ditën e romëve - e dëshmon racizmin kulturor të Presidentes, të cilës i flet ndërdija! Ajo përmes imazhit e pranon së romët kosovarë janë vetëm dhe se Presidentja (vet nji grue dhe nânë) nuk del me qef as në fotografi me nji vajzë të komunitetit rom!?”, ka shkruar Matoshi në profilin e tij në “Facebook”.