Konjufca uron Dirk Schübelin për detyrën e re si përfaqësues i BE-së në Kosovë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka përshëndetur emërimin e diplomatit gjerman Dirk Schübel në postin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në një shkrim në X, Konjufca i ka uruar Schübelit sukses në mandatin e ri, duke theksuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin e ri evropian.
Ai ka deklaruar se pret që, gjatë këtij mandati, të punohet për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Urime Dirk Schübel për emërimin tuaj si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës. Ju uroj suksese në mandatin tuaj të ri dhe pres me padurim të punojmë së bashku për të forcuar më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj rrugës së saj evropiane, agjendës së reformave dhe vlerave mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian”, ka shkruar Konjufca