Konjufca njofton për një takim të kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor, tregon se çka u diskutua
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në një takim mes ministrave të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga kryediplomati turk, Hakan Fidan, në kuadër të Antalya Diplomacy Forum.
Në një shkrim në Facebook, Konjufca ka thënë se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike.
“Në kuadër të edicionit të këtij viti të Antalya Diplomacy Forum, mora pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), të organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, z. Hakan Fidan.
Gjatë takimit, u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë. Diskutuam gjithashtu për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe për ndikimin që ato kanë në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar ai.