Konjufca: Lidhja e Prizrenit paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, deputetë të Kuvendit, ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë të qeverisjes qendrore dhe lokale, mori pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt në Prizren.
Ai tha se kjo datë, së bashku me 28 nëntorin e vitit 1912 përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme historike, të cilat e konturuan fizionominë politike, kulturore, kombëtare të shqiptarëve si një komb që mëtonte të jetonte i bashkuar, fillimisht brenda një njësie të veçantë brenda Perandorisë Osmane, e pastaj si shtet sovran dhe i pavarur.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit e paraqet aksionin e parë politik dhe ideologjik të shqiptarëve, ndoshta që nga koha e Kuvendit të Lezhës, e cila promovon interesin e shqiptarëve si një komb unik, i ndryshëm nga Perandoria Osmane dhe i ndryshëm edhe nga popujt fqinj”, tha Konjufca.