Konjufca: Krahasuar me vitin e kaluar Kuvendi sot prezanton një model të mirë të pjesëmarrjes së grave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se duke krahasuar me vitin e kaluar, Kuvendi sot prezanton një model të mirë të pjesëmarrjes së grave, por sipas tij është akoma larg nga ç’duhet të jetë.
Konjufca këtë deklaratë e ka bërë gjatë fjalimit të tij në Forumin “Gratë, Paqja dhe Siguria” që po mbahet në Kosovë.
Ai gjithashtu ka folur edhe për rolin e parlamenteve në përshpejtimin dhe avancimin e pozitës së grave në shoqëri.
“Kuota gjinore, e cila në fillet e para të aplikimit nuk u vlerësua si mekanizëm që do t’i ndihmonte demokracisë, doli të jetë indikatori kyç që duke siguruar ulëse në parlament të shërbejë si stimulues për vazhdim të pjesëmarrjes së grave në politikë”, u shpreh kryeparlamentari.
Ai ndër të tjera tha se është urgjente nevoja e ndryshimit të të menduarit dhe qasja ndaj grave.
