Konfiskohen rreth 2 kg kokainë në pikëkalimin kufitar Merdare
Në pikëkalimin kufitar Merdare, Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka sekuestruar rreth dy kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë, gjatë një kontrolli të thelluar të një automjeti që po hynte në territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës, substanca ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit dhe u zbulua falë verifikimit të detajuar dhe përdorimit të skanerit X-ray.
“Gjatë kontrollit të detajuar, janë zbuluar të fshehura rreth 2 (dy) kilogramë lëndë narkotike, për të cilën dyshohet se është kokainë. Substanca ishte e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit. Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pajisje e cila ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve dhe ka mundësuar lokalizimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike. Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, njofton Dogana.